Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni i gjerë i zhvilluar nga SPAK në bashkëpunim me autoritetet italiane, i cili goditi një rrjet kriminal që mashtronte qytetarë të Bashkimit Europian përmes call center-ave, duke u zhvatur dhjetëra miliona euro.
Deri tani janë arrestuar 12 persona, ndërsa në kërkim vazhdojnë të jenë tre vëllezërit Agim, Alfred dhe Arjan Prekaj nga Tropoja, të dyshuar si drejtuesit kryesorë të skemës. Sipas të dhënave të hetimit, njëri prej tyre, Alfred Prekaj, rezulton pronar i kompanisë “Balkanspro”, e regjistruar zyrtarisht për call center dhe telemarketing, por që dyshohet se përdorej për aktivitetin mashtrues.
Mes të arrestuarve në flagrancë janë personat me inicialet R.Gj., E.Gj., D.Q., E.M., R.P. dhe O.K.
Operacioni nisi një ditë më parë dhe vijoi deri në orët e vona të mbrëmjes, ku oficerë të Policisë së Shtetit dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit, të kryesuar nga drejtori Joni Keta, kryen kontrolle në disa kulla luksoze në kryeqytet. Gjatë kontrolleve u sekuestruan kompjuterë, pajisje elektronike dhe portofole kriptomonedhash, të cilat dyshohet se lidhen me qarkullimin e parave të përfituara nga mashtrimet.
Hetimet po drejtohen nga prokurori i SPAK Ened Nakuci, në bashkëpunim me një prokuror të huaj. Sipas burimeve, grupi ndryshonte vazhdimisht ambientet me qira për të shmangur gjurmët dhe kontrollin e autoriteteve.
Një rol të rëndësishëm në hetim ka pasur edhe një investigim i emisionit italian “Le Iene”, i cili solli pamje dhe prova nga brenda një prej call center-ave të dyshuar. Gazetarët kishin futur një person të infiltruar në një qendër që operonte në katin e 13 të kullës “4Ever Green Tower”, pranë Gjykatës së Lartë. Por kur policia zbarkoi në godinë, aktiviteti ishte zhdukur.
Sipas të njëjtit investigim, në skemë dyshohet të jetë përfshirë edhe një polic italian, i cili rekrutonte të rinj në Itali dhe i dërgonte në qendrat e mashtrimit në Tiranë dhe në vende të tjera.
Skema funksiononte përmes telefonatave joshëse, ku viktimave u premtoheshin fitime të shpejta përmes një investimi fillestar prej 250 euro, ndërsa platformat dixhitale që u shfaqeshin ishin thjesht simulime pa asnjë aktivitet real financiar.
Hetimet janë ende në vijim dhe priten zhvillime të tjera.