Pacolli: Balluku po favorizon aksionerin 2% në projektin e aeroportit të Vlorës

Konfliktet rreth projektit të Aeroportit të Vlorës po thellohen, ndërsa kompania “Mabco Construction”, e drejtuar nga biznesmeni Behgjet Pacolli dhe aksionere mazhoritare në shoqërinë koncensionare VIA, akuzon hapur Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për qëndrim të njëanshëm dhe përjashtim të paligjshëm nga vendimmarrja.

Në një letër zyrtare drejtuar zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku, me dijeni edhe kryeministrin Edi Rama, Mabco denoncon një takim të zhvilluar më 12 janar 2026 në kantierin e aeroportit të Vlorës. Në këtë takim kanë marrë pjesë përfaqësues të MIE-së, Autoritetit të Aviacionit Civil, Albcontrol dhe kompania “2A Group” e Valon Ademit, aksionerit minoritar me 2% në shoqërinë VIA.

Mabco e cilëson këtë sjellje si shkelje flagrante të ligjit dhe të kontratës së koncesionit, duke akuzuar Ministrinë e Infrastrukturës për bashkëpunim të drejtpërdrejtë me ortakun e minorancës. Sipas saj, fakti që takimi u zhvillua në ambientet e 2A Group brenda kantierit të aeroportit tregon qartë një qasje të paragjykuar dhe përjashtuese ndaj investitorit kryesor.

Kompania e Pacollit kërkon përsëritjen e menjëhershme të mbledhjes me praninë e të gjithë aksionerëve dhe rivendosjen e marrëdhënieve transparente, në përputhje me ligjin dhe kontratën koncensionare. Në të kundërt, Mabco paralajmëron se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore, administrative, civile dhe penale për të mbrojtur investimin dhe interesin publik.

Nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar lidhur me këto akuza. Ndërkohë, konflikti mes ortakëve vijon prej muajsh edhe në rrugë gjyqësore.

Aktualisht, struktura e pronësisë së Aeroportit të Vlorës parashikon 98% të aksioneve për Mabco Construction dhe 2% për Valon Ademin, i cili pretendon se i takon një pjesë shumë më e madhe e aksioneve, deri në 47%, për shkak të investimeve të kryera.

Për këtë çështje ka nisur hetim nga Prokuroria e Tiranës, ndërsa SPAK ka bërë me dije se po verifikon procedurat e koncesionit të Aeroportit të Vlorës.

Komento lajmin