Deputeti socialist Erion Braçe ka publikuar denoncimin e një blegtori nga Myzeqeja, i cili ndodhet në prag të falimentit për shkak të praktikave të pandershme dhe arrogante të kompanisë së përpunimit të qumështit Lufra, një kompani që prej kohësh sillet si monopol dhe jo si partner i fermerëve shqiptarë.
Sipas denoncimit, Lufra ka ndërtuar një skemë të pastër shfrytëzimi. Fillimisht uli çmimin e qumështit deri në pikën e poshtërimit, duke i lënë blegtorët pa fitim dhe pa dinjitet. Tani, pasi i ka shtrydhur deri në fund, ka gjetur justifikimin e radhës, aflatoksinën, për të mos marrë fare qumështin vendas.
Një sjellje tipike e një kompanie që pasurohet mbi shpinën e fshatit, por që nuk ka asnjë përgjegjësi sociale. Lufra nuk sillet si industri kombëtare, por si grabitqare tregu, që i përdor fermerët sa herë i duhen dhe i flak tutje sapo gjen import më të lirë.
Braçe e cilëson këtë situatë si pasojë direkte të politikave fiskale të ndjekura nga qeveria Rama, por edhe si rezultat të babëzisë së fabrikave të mëdha, që kërkojnë fitim maksimal dhe zero detyrim ndaj prodhuesve vendas.
Sipas tij, pas shkatërrimit të baxhove dhe zhdukjes së çdo alternative tjetër në treg, blegtorët janë lënë në mëshirë të fabrikave të mëdha si Lufra, të cilat sot diktojnë çmimin, kushtet dhe fatin e tyre ekonomik.
Argumenti i aflatoksinës, sipas Braçes, po përdoret si alibi për të orientuar prodhimin drejt importit, një rrugë më e lehtë, më fitimprurëse dhe pa asnjë ndjeshmëri ndaj fermerëve shqiptarë, që mbajnë gjallë fshatin dhe ekonominë rurale.
Në këtë situatë, Lufra shfaqet jo si viktimë e kushteve të tregut, por si përfituese e një sistemi që favorizon të mëdhenjtë dhe shtyp të vegjlit. Një kompani që ndërton imazh me reklama patriotike, por në praktikë godet prodhimin vendas dhe i lë blegtorët pa bukë.
Braçe akuzon se pas gjithë kësaj qëndron një politikë ekonomike e shkëputur nga realiteti, ku fabrikat e mëdha trajtohen si të paprekshme, ndërsa fermerët si numra pa zë.