Aktakuza e fundit nga Gjermania konfirmon se Shqipëria ka shërbyer si bazë operative e një industrie ndërkombëtare mashtrimi me call-centera, e lidhur me Milton Group dhe me figura kyçe si Amant Josifi, sot i arratisur në Dubai. Paratë e zhvatura nga qytetarë europianë janë ricikluar në Tiranë përmes rrjeteve të fast-food-it KFC dhe Pizza Hut, të kontrolluara nga struktura offshore dhe shtetas gjeorgjianë, duke krijuar një skemë të mbyllur pastrimi parash me mbulim politik…
Zhvillimi i djeshëm nga Gjermania nuk solli një dyshim të ri, por një konfirmim penal të asaj që prej vitesh funksiononte si industri kriminale. Prokuroria e Përgjithshme e Bambergut dhe Zyra Qendrore për Krimin Kibernetik të Bavarisë ngritën aktakuzë ndaj Mikheil B., të identifikuar si drejtues kryesor i një rrjeti ndërkombëtar mashtrimi me call-centerat, me dëm financiar që arrin deri në 230 milionë euro vetëm në vendet gjermanishtfolëse. Aktakuza përshkruan një strukturë të organizuar, të qëndrueshme në kohë dhe të shtrirë në disa shtete, ku Shqipëria shfaqet jo si territor periferik, por si bazë operative me peshë, me zyra, staf, flukse parash dhe mbrojtje faktike. Dokumentet gjermane e përshkruajnë skemën si një makineri të ndërtuar për të funksionuar për vite, me ndarje rolesh dhe disiplinë industriale. Call-centerat nuk shfaqen si biznese të izoluara, por si motorë të mashtrimit ku operatorë të trajnuar manipulonin viktimat, i drejtonin drejt platformave fiktive të investimit dhe i shtynin të transferonin kursime që nuk riktheheshin më. Shqipëria del në këtë dosje si territor ku këto struktura operuan në mënyrë të qëndrueshme, me qindra punonjës, me lista të targetuara klientësh dhe me skripte të ndërtuara për të shfrytëzuar dobësi financiare dhe emocionale. Kjo panoramë përputhet me hetimet ndërkombëtare të mëhershme që kanë dokumentuar prani të qendrave operative në Tiranë të lidhura me Milton Group, një emërtim që policitë europiane e përdorin për të identifikuar rrjetin, pavarësisht ndryshimit të markave dhe platformave në kohë. Në këto zyra, sipas dëshmive të brendshme, telefonatat arrinin qindra në ditë, targetoheshin shtetas të vendeve të BE-së dhe paratë kanalizoheshin përmes rrjeteve pagesash të ndërlikuara, për t’u zhdukur më pas nga gjurma klasike bankare.
Në këtë skemë shfaqet si figurë kyçe Amant Josifi, i cili rezulton të ketë kontrolluar struktura call-centerash në Shqipëri përmes shoqërive të regjistruara formalisht si biznese shërbimi. Roli i tij nuk kufizohet në menaxhim teknik. Ai shfaqet si nyjë lidhëse mes operacioneve në Shqipëri dhe qendrave të tjera në rajon, si dhe si figurë me akses politik që i dha këtij aktiviteti mbrojtje dhe legjitimitet për një periudhë të gjatë. Në vitin 2025, Josifi rezulton i larguar nga Shqipëria dhe i strehuar në Dubai, një juridiksion ku subjekte të ndjekura financiarisht gjejnë shpesh strehë për t’i shpëtuar ekstradimit, fakt që e zhvendos theksin nga ekzistenca e skemës te përgjegjësit që e lejuan dhe e mbrojtën atë.
Në këtë kontekst merr peshë lidhja e Josifit me Olsi Rama, vëllain e kryeministrit, me të cilin ai ka pasur marrëdhënie biznesi të dokumentuara në sektorin e telekomunikacionit. Materialet investigative ndërkombëtare dhe të dhënat korporative e përshkruajnë Josifin si figurë operative të Milton Group në Shqipëri, ndërsa marrëdhënia e tij me Olsi Ramën ngre dyshime serioze për përdorimin e tij si prestanome dhe si mburojë politike në fazat kur ky aktivitet po konsolidohej. Këto lidhje shpjegojnë pse call-centerat arritën të funksiononin hapur, me zyra të blinduara dhe staf masiv, pa u goditur deri në ndërhyrjet e koordinuara ndërkombëtare të vitit 2022.
Rrjeti fast-food i KFC dhe Pizza Hut si ‘lavatrice’ për milionat e zeza të call-centerave
Pas prodhimit të parave përmes mashtrimit, rrjeti kishte nevojë për një arkitekturë të dytë, më të heshtur, më të qëndrueshme dhe shumë më të vështirë për t’u goditur, pastrimin dhe riciklimin e kapitalit. Kjo fazë nuk u ndërtua në mënyrë spontane, por mbi modele të njohura të krimit financiar ndërkombëtar, ku bizneset me qarkullim të lartë cash shërbejnë si filtër legal për para që nuk kanë asnjë burim të ligjshëm. Në Shqipëri, sipas dokumenteve korporative dhe gjurmëve financiare të evidentuara në disa hetime, ky funksion përqendrohet te shoqëria Global Fast Food Albania, operatorja e rrjeteve KFC dhe Pizza Hut, dy marka ndërkombëtare që krijojnë perceptim besueshmërie, volum të lartë transaksionesh ditore dhe një perde ideale për injektimin e kapitalit kriminal. ~PAMFLETI~