Kush është Altin Ndoci? Profili i një të dyshuari për krime të rënda që i shpëtoi burgut

Arratisja e Altin Ndoci nga spitali i burgut ka rikthyer edhe një herë ndjesinë e pasigurisë në Durrës, pasi një person i konsideruar me rrezikshmëri të lartë shoqërore ndodhet tashmë në arrati. Ndoci është përmendur ndër vite për përfshirje në grabitje me dhunë, trafik narkotikësh dhe krime të rënda, duke u kthyer në një emër të njohur për strukturat e rendit dhe drejtësisë.

Sipas dosjeve hetimore, Altin Ndoci ka qenë i përfshirë në konflikte mes grupeve kriminale në Durrës, Tiranë dhe Elbasan, duke u konsideruar pjesë e strukturave që kanë vepruar me pagesë në disa qytete të vendit. Hetimet e SPAK e përshkruajnë atë si element aktiv të skenës së krimit të organizuar, ndërsa dëshmitë e bashkëpunëtorëve të drejtësisë e vendosin në rrethin e afërt të njerëzve të Talo Çelës, i dyshuar si vrasës me pagesë dhe i zhdukur prej vitesh.

Në dëshminë e tij, Nuredin Dumani ka deklaruar se pas konflikteve me Talo Çelën dhe Altin Ndocin, kishte interesa që ata të eliminoheshin nga palë të treta, duke pretenduar se Ndoci kishte tentuar të vriste vëllanë e tij, por arma ishte bllokuar. Edhe Fitim Dumani, vëllai i Nuredin Dumanit, e ka përshkruar Altin Ndocin si “ushtar” të Talo Çelës, duke përmendur prishjen e marrëdhënieve mes palëve për çështje financiare.

E shkuara kriminale

Problemet e para të Altin Ndocit me ligjin datojnë në vitin 2014–2015, kur ai u përfshi në një seri grabitjesh automjetesh në Tiranë. Sipas policisë, vjedhjet janë kryer në bashkëpunim me persona të tjerë dhe në disa raste me përdorim dhune, duke krijuar alarm te qytetarët. Ndoci rezulton gjithashtu i dënuar për trafik të lëndëve narkotike, ndërsa pas daljes nga burgu, sipas hetimeve, ai u rishfaq në skenën kriminale përmes lidhjeve me grupin e Talo Çelës.

SPAK e akuzon Altin Ndocin për përfshirje në katër vrasje, duke e dyshuar si ekzekutor në vrasjen e Anxhelo Avdisë dhe Dorian Shkozës, si dhe për ekzekutimin e vëllezërve Viktor dhe Besmir Haxhia. Akuzat për këto të fundit janë mbështetur edhe në dëshminë e një personi të identifikuar si Klevis Alla, ndërsa Ndoci i ka mohuar vazhdimisht këto akuza.

Grabitjet sipas policisë

Sipas të dhënave zyrtare, Altin Ndoci dyshohet si autor ose bashkautor i disa vjedhjeve të automjeteve të ndodhura në Tiranë gjatë viteve 2014–2015, kryesisht në zonat “Tre Dëshmorët”, Yzberisht dhe “Teodor Keko”, ku janë grabitur ose tentuar të grabiten mjete të tipit “Mercedes Benz” dhe “Volkswagen Golf”.

Arratisja e tij e fundit shton presionin mbi institucionet përgjegjëse, ndërsa autoritetet kanë nisur kërkimet për kapjen e tij dhe hetime për të zbardhur rrethanat që çuan në largimin nga spitali i burgut. Për opinionin publik, rasti i Altin Ndocit mbetet një tjetër provë e dobësive të sistemit të sigurisë dhe drejtësisë.

Komento lajmin