Personi që shihni në foto është Halil Hysaj, 31-vjeçari që u arrestua në aeroportin e Rinasit pasi në çantën e tij të shpinës u gjet një pistoletë funksionale, në momentin që po tentonte të udhëtonte drejt Italisë.
Sipas hetimit paraprak, arma u zbulua gjatë kontrollit rutinë, ndërsa Hysaj u ndalua menjëherë dhe u shoqërua për në komisariat.
Gjatë marrjes në pyetje, i riu ka dhënë një deklaratë që ka ngritur habi tek oficerët e çështjes. Ai është shprehur:
“Nuk e di kush ma ka futur në çantë. Unë tani po e shoh për herë të parë.”
Dëshmia e tij ka hapur një sërë pikëpyetjesh, ndërsa policia po verifikon lëvizjet e të riut, kontaktet, kamerat e sigurisë dhe itinerarin e tij para mbërritjes në aeroport.
Ndërkohë, arma e sekuestruar është dërguar për ekspertizë balistike për të përcaktuar nëse është përdorur në ngjarje kriminale.
Hetimet vijojnë, ndërsa versioni i Hysajt mbetet aktualisht pa prova që e mbështesin dhe konsiderohet si deklaratë mbrojtëse.