SHBA përgatitet për skenar lufte në Lindjen e Mesme/ NYT: Regjimi iranian më i dobët se kurrë, Trump informohet në kohë reale

Sipas një raportimi të New York Times, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka marrë disa informacione të klasifikuara nga agjencitë amerikane të inteligjencës, të cilat tregojnë se regjimi iranian ndodhet në pikën më të dobët të tij që prej vitit 1979, kur ra monarkia e Shahut. Burime të njohura me çështjen bëjnë me dije se kontrolli i pushtetit në Teheran është më i brishti i dekadave të fundit.

Protestat masive që shpërthyen në fund të vitit të kaluar, e që më pas përfshinë edhe zonat më konservatore, kanë shkaktuar tronditje të forta në bazamentin e pushtetit të Ajatollah Ali Khameneit. Edhe pse demonstratat janë zbehur, efektet politike vijojnë të shihen qartë në brendësi të strukturave të regjimit.

Regjimi i goditur nga kriza ekonomike

Sipas raporteve të inteligjencës, situata ekonomike në vend ka mbetur e rëndë, duke detyruar familjet iraniane të përballen me kosto të papërballueshme. Kjo ka nxitur protesta sporadike në dhjetor dhe janar, të cilat autoritetet janë përpjekur t’i frenojnë përmes masave represive, duke larguar më tej segmente të gjera të popullsisë që dikur e mbështesnin regjimin.

Trump informohet vazhdimisht

Shtëpia e Bardhë konfirmon se Presidenti Trump është në dijeni të zhvillimeve të fundit.

“Presidenti Trump informohet vazhdimisht për çështjet e inteligjencës në gjithë botën. Lidhur me Iranin, ai e ndjek situatën nga afër”, tha sekretarja e shtypit, Caroline Levitt.

Në administratën amerikane po diskutohet mundësia e një goditjeje ushtarake ndaj Iranit, megjithëse nuk ka një qëndrim të unifikuar. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, sipas NYT, i ka kërkuar Trump-it të mos ndërmarrë ende një sulm. Ndërkohë, disa këshilltarë të presidentit e shohin situatën në Iran si një “mundësi të artë” për të dobësuar përfundimisht regjimin.

Senatori republikan Lindsey Graham shprehu hapur pritshmërinë e tij:

“Qëllimi është t’i jepet fund regjimit.”

Përforcim i madh i forcave amerikane në rajon

Forcat amerikane janë zhvendosur masivisht drejt Lindjes së Mesme. Aeroplanmbajtësja USS Abraham Lincoln, e shoqëruar nga tre anije luftarake të pajisura me raketa Tomahawk, tashmë ndodhet në zonën e Komandës Qendrore të SHBA-së, e gatshme për ndërhyrje brenda 24–48 orësh nëse vjen urdhri nga Shtëpia e Bardhë.

Pentagoni ka dërguar:

  • 12 avionë luftarakë F-15E,
  • sisteme Patriot,
  • sisteme antiraketore THAAD,
  • njësi shtesë për mbrojtjen e trupave amerikane nga një hakmarrje e mundshme iraniane.

Bombarduesit me rreze të gjatë veprimi mbeten gjithashtu në gatishmëri të lartë.

Konsultime intensive me aleatët

Administrata amerikane po koordinon qëndrimet me partnerët kryesorë në rajon. Admirali Brad Cooper, komandant i Komandës Qendrore, ka zhvilluar vizita në Siri, Irak dhe Izrael, ku ka dërguar një paralajmërim të qartë:

çdo sulm i milicive të mbështetura nga Irani ndaj trupave amerikane do të marrë përgjigje të menjëhershme.

Konsultime të niveleve të larta janë zhvilluar edhe me Arabinë Saudite dhe Katarin, teksa tensionet në rajon pritet të rriten.

Komento lajmin