SHBA godet ‘trurin’ e represionit: pesë zyrtarë iranianë nën sanksione

Shtetet e Bashkuara vendosën të enjten sanksione ndaj pesë zyrtarëve të lartë iranianë, të cilët i konsiderojnë përgjegjës për shtypjen e protestave në Iran, ndërsa paralajmëruan se po monitorojnë dhe gjurmojnë transferimet financiare të udhëheqjes iraniane drejt bankave ndërkombëtare. Masa vjen në kuadër të rritjes së presionit ndaj Teheranit nga administrata e presidentit Donald Trump.

Në një deklaratë zyrtare, Departamenti i Thesarit i SHBA-së bëri të ditur se sanksionet përfshijnë Sekretarin e Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, dy komandantë të lartë të Trupave të Gardës Revolucionare Islamike si dhe dy drejtues të forcave iraniane të rendit, të cilët Uashingtoni i cilëson si “arkitektët” e represionit ndaj protestuesve.

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi në një mesazh video se autoritetet amerikane janë në dijeni të përpjekjeve të udhëheqësve iranianë për të zhvendosur fonde të përfituara në mënyrë të paligjshme jashtë vendit. Ai paralajmëroi se këto para, që sipas tij u janë marrë familjeve iraniane, po transferohen drejt bankave dhe institucioneve financiare në mbarë botën dhe do të gjurmohen nga SHBA.

Bessent theksoi se ende ekziston mundësia për ndryshim, nëse udhëheqja iraniane zgjedh të ndalë dhunën dhe të qëndrojë në krah të popullit. Ai nënvizoi se Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm kërkesat e popullit iranian për liri dhe drejtësi dhe se Thesari do të përdorë çdo mjet të mundshëm për të goditur përgjegjësit e shkeljeve të të drejtave të njeriut.

Në të njëjtën kohë, Departamenti i Thesarit njoftoi edhe vendosjen e sanksioneve ndaj 18 individëve të tjerë, të akuzuar për përfshirje në pastrimin e të ardhurave nga shitja e naftës dhe produkteve petrokimike iraniane në tregjet e huaja. Sipas autoriteteve amerikane, këto aktivitete realizohen përmes rrjeteve të ashtuquajtura të “shadow banking”, të lidhura me institucione financiare iraniane tashmë nën sanksione.

Komento lajmin