Sesioni i ri parlamentar nis me tensione opozita bllokon foltoren PS kërcënon me Reformën Zgjedhore

Seanca e parë plenare e vitit 2026 nisi dhe u mbyll me tensione në vetëm 20 minuta, duke shënuar një nga hapjet më të trazuara të sesionit parlamentar. Debatet dhe përplasjet nisën që në momentin e hapjes së seancës, me praninë e zëvendëskryeministres Belinda Balluku që u kthye në pikën kryesore të konfliktit.

Deputetët e opozitës deklaruan se Balluku duhej të kishte dhënë dorëheqje dhe të ishte vënë në dispozicion të drejtësisë. Me nisjen e fjalës përshëndetëse nga kryetari i seancës Niko Peleshi, deputetët e PD u ngritën nga vendet e tyre dhe iu drejtuan foltores, duke e bllokuar atë.

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, e akuzoi Peleshin se po mbronte një zyrtare të korruptuar. “Dorëzoja Ballukun drejtësisë”, deklaroi ai në sallë. Ndërkohë, Sali Berisha foli nga vendi i tij, duke shtuar tensionin dhe duke kërkuar që Kuvendi të sillte menjëherë kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut. “Respektoni rregulloren dhe Kushtetutën. Kjo kërkesë është e qartë dhe e ardhur nga institucionet ndërkombëtare”, tha Berisha.

Situata u përshkallëzua me thirrje, ndërhyrje dhe akuza të vazhdueshme, ndërsa opozita refuzoi të ulej. Pavarësisht atmosferës së nxehtë, Niko Peleshi vijoi seancën dhe hapi fjalën për diskutim, por zërat e opozitës e bënë të pamundur funksionimin normal të saj.

Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, paralajmëroi se PS është gati të vijojë e vetme procesin e Reformës Zgjedhore nëse opozita vazhdon bllokimin. Ai ironizoi qëndrimet e PD, duke i cilësuar kontradiktore dhe të motivuara politikisht. Balla u ndal edhe te ftesa e fundit e Donald Trump ndaj kryeministrit për t’u përfshirë në Bordin e Paqes, të cilën e konsideroi vlerësim për Shqipërinë dhe rolin e saj ndërkombëtar. “Fillimisht thanë nuk ka ftesë. Pastaj kërkuan ta shohin. Më pas e minimizuan. Por në Ballkanin Perëndimor nuk është ftuar askush tjetër. Kjo është partneritet”, deklaroi ai.

Me opozitën që vazhdonte të bllokonte foltoren dhe refuzonte të ulej në vende, Niko Peleshi me kërkesë të grupit parlamentar të PS, hodhi në votim projektligjet e parashikuara, të cilat u miratuan vetëm me votat e socialistëve.

Seanca u mbyll në kaos, duke lënë pas një nisje sesioni të tensionuar që paralajmëron përballje të forta politike në javët dhe muajt në vijim.

Komento lajmin