Kryeministri Edi Rama, në ceremoninë përkujtimore të 21 Janarit, është zotuar se ngjarja ku humbën jetën katër protestuesit Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj do të marrë drejtësi. Por ndërsa u betua për zbardhjen e çështjes, Rama shoqëroi premtimin me një justifikim të ri: kërkesa për drejtësi, sipas tij, duhet drejtuar te Stacioni i Trenit dhe jo te Kryeministria.
Kreu i qeverisë deklaroi se mazhoranca e tij “nuk ka tradhtuar kurrë zotimet”, duke sjellë si argument reformën në drejtësi dhe ngritjen e SPAK-ut, institucione që sipas tij kanë pasur në dorë dosjen, por e lanë në hije deri pak muaj më parë, kur u morën fillimisht në pyetje përgjegjësit e mundshëm.
“Kush kërkon nga ne se pse nuk është bërë drejtësi për 21 Janarin, të shohë te stacioni i trenit dhe jo te kjo godinë”, u shpreh Rama, duke theksuar se qeveria ka krijuar kushtet për drejtësi të pavarur, por tashmë i takon vetë drejtësisë të flasë.
Ai përsëriti se zëri për drejtësi për katër viktimat nuk do të shuhet kurrë, duke shtuar se qeveria ka mbajtur me dinjitet përgjegjësinë morale për jetët e humbura.
Sipas tij, vetëm institucionet e reja të drejtësisë mund të mbyllin kapitullin e pandëshkueshmërisë, ndërsa çdo mungesë rezultati duhet kërkuar te organet e drejtësisë, jo te ekzekutivi.
Rama theksoi sërish se reforma në drejtësi dhe lindja e SPAK-ut janë themeluar pikërisht nga kjo qeveri, duke e cilësuar këtë si provë se mazhoranca nuk është shmangur nga premtimet e saj.