Protestë, bllokim i foltores? Opozita akuzon Ramën për mbrojtje të Ballukut – Si pritet të vijojë seanca në Kuvend

Seanca plenare e sotme, e cila pritet të nisë në orën 10:00, ka në rend dite mbi 20 pika për shqyrtim. Megjithatë, e gjithë dinamika e punimeve mbetet e pasigurt, pasi opozita paralajmëron sërish skenarë bllokimi të foltores dhe tensionim të seancës.

Sipas zhvillimeve paraprake, shumica synon ta çojë normalisht përpara axhendën parlamentare, por opozita akuzon kryeministrin Rama se po mbron ministren Belinda Balluku pas skandaleve të fundit dhe marrëveshjes së përkohshme të rikthimit në detyrë.

Kjo çështje pritet të jetë epiqendra e debatit politik, me opozitën që paralajmëron ndërhyrje të forta në sallë dhe shumicën që kërkon të shmangë përplasjet fizike dhe kaosin e javëve të kaluara.

Seanca pritet të zgjasë, por gjithçka do të varet nga mënyra se si do të veprojë opozita dhe nëse do të përsëriten skenat e tensionuara që kanë karakterizuar punimet parlamentare muajt e fundit.

Komento lajmin