Bujar Sefa, i njohur edhe si Xaka, është arrestuar në Dubai pas një operacioni të përbashkët mes autoriteteve shqiptare dhe atyre të Emirateve të Bashkuara Arabe. 39-vjeçari ishte shpallur në kërkim nga SPAK për trafik droge drejt vendeve të BE-së dhe për drejtimin e një grupi kriminal në zonën e Krujës.
Sefa kishte shpëtuar më herët një operacioni policor në fshatin Nojë, ku u sekuestruan 145 kilogramë hashash dhe municion luftarak. Ai është i dënuar edhe në Itali me 12 vjet e 9 muaj burg, ndërsa i janë konfiskuar pasuri me vlerë rreth 346 mijë euro.
Sipas dosjes hetimore, Sefa kishte rol drejtues në kultivimin e kanabisit dhe organizimin e punëtorëve në parcelat narkotike.
Njoftimi i Policisë
Policia e Shtetit njoftoi se operacioni “The Wanted” çoi në lokalizimin e tij në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku u arrestua me qëllim ekstradimin në Shqipëri. Gjykata e Posaçme kishte vendosur ndaj tij masën “Arrest në burg” për disa vepra penale të lidhura me narkotikët, grupin e strukturuar kriminal dhe armëmbajtjen pa leje.
Interpol Tirana dhe Interpol Abu Dhabi po vijojnë procedurat për kthimin e tij në vend.