Partia Demokratike zhvillon këtë të shtunë një protestë kombëtare para Kryeministrisë, me kërkesën kryesore dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila njëkohësisht mban postin e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë. Balluku u pezullua nga detyra me vendim të GJKKO, por u rikthye përkohësisht në pozicion pas ndërhyrjes së Gjykatës Kushtetuese, që do të shqyrtojë në themel ankimimin e kryeministrit Rama.
Protesta është thirrur si reagim ndaj akuzave të rënda ndaj Ballukut, e cila është marrë e pandehur nga SPAK për korrupsion dhe abuzim me tendera. Po ashtu, Prokuroria e Posaçme kërkoi heqjen e imunitetit me qëllim arrestimin e saj, por mazhoranca socialiste shtyu vendimin e Këshillit të Mandateve për datën 28 janar.
Sipas opozitës, kjo nuk do të jetë një protestë e vetme, por fillimi i një serie tubimesh dhe aksionesh politike që do të vazhdojnë derisa të largohet qeveria aktuale dhe kryeministri Rama.
Në një mesazh të mëparshëm, Sali Berisha e përshkroi ditën e sotme si “ditën e gjyqit popullor ndaj kreut të qeverisë”, duke e cilësuar Ramën “kryehajdut” dhe “të lidhur me banditë, trafikantë dhe vrasës”. Berisha e quajti protestën një akt guximi dhe një betejë kundër “të keqes që ka mbërthyer Shqipërinë”.
Ndërkohë, forcat e rendit kanë marrë masa të zgjeruara sigurie. 1350 efektivë janë vendosur në terren për garantimin e mbarëvajtjes së protestës. Para godinës së Kryeministrisë është ngritur një kordon i dendur policor, ndërsa efektivët me skafandër dhe maska kundragaz janë rreshtuar në disa pika të zonës, në pritje të një tubimi me pjesëmarrje të madhe.