Një rrjet i mbyllur familjar, i drejtuar nga vëllezërit Ramiz dhe Rasim Zekaj, ka funksionuar për vite me radhë nën petkun e bamirësisë dhe fesë, duke qarkulluar para nga donacione arabe dhe duke i shndërruar ato në pasuri të paluajtshme, biznese dhe jetë luksoze. Shoqata “Gruaja”, shtypshkronjat “Mileniumi i Ri” dhe “Mileniumi i Ri 2”, si edhe Instituti Kanadez i Teknologjisë shfaqen si nyje kyçe të këtij mekanizmi financiar, ndërsa shuma të mëdha cash janë mbajtur në banesa dhe grabitjet janë mbuluar me heshtje. Paralelisht, rrjeti ka tentuar të fshijë çdo gjurmë publike përmes goditjes së artikujve investigativë dhe presionit teknik ndaj mediave
Prej vitesh, vëllezërit Ramiz dhe Rasim Zekaj shfaqen si boshti drejtues i një rrjeti subjektesh formalisht bamirëse dhe biznesesh ndihmëse, të ndërtuara dhe të kontrolluara brenda rrethit familjar, të përdorura për qarkullimin e parave të ardhura nga fondacione arabe dhe për shndërrimin e tyre në pasuri të paluajtshme, aktivitete tregtare dhe një mënyrë jetese luksoze që nuk përputhet me të ardhurat e deklaruara, ku njëri mban fasadën fetare dhe akademike, ndërsa tjetri administron flukset financiare, strukturat operative dhe manovrat që mbajnë në lëvizje këtë zinxhir të ‘ndryshkur’.
Shoqata “Gruaja” kontrollohet drejtpërdrejt nga Ndriçime Zekaj, bashkëshortja e Ramiz Zekajt, e cila shfaqet si figura qendrore në drejtimin dhe administrimin e kësaj strukture, të përdorur si mbulesë për qarkullimin e parave të ardhura nga fondacione arabe, para që kalojnë nga një subjekt te tjetri përmes faturimeve formale dhe aktiviteteve të sajuara, pa lidhje reale me ndonjë veprimtari bamirëse apo sociale.
“Gruaja” shërben si nyje financiare e lidhur ngushtë me rrjetin e subjekteve të familjes Zekaj, duke u ndërthurur me shtypshkronjat “Mileniumi i Ri” dhe “Mileniumi i Ri 2”, struktura që përdoren për të justifikuar në letër qarkullimin e shumave të mëdha përmes shpenzimeve dhe faturave që nuk përputhen me aktivitetin konkret.
Mirusha Zeka, bashkëshortja e Rasim Zekajt, mban rolin e administratores operative në këtë zinxhir familjar, duke drejtuar shtypshkronjat “Mileniumi i Ri” dhe “Mileniumi i Ri 2”, dy subjekte që shërbejnë si mbulesë për faturime dhe shpenzime formale, përmes të cilave qarkullojnë shuma të mëdha parash nën justifikimin e prodhimit dhe shërbimeve grafike, ndërkohë që aktiviteti real i këtyre strukturave nuk përputhet me volumet financiare të deklaruara dhe funksioni i tyre lidhet drejtpërdrejt me pastrimin e parave të ardhura nga fondacione dhe shoqata bamirësie të kontrolluara nga rrethi familjar Zekaj.
Si u grabitën shuma të mëdha cash në banesat e familjes Zekaj dhe pse u raportua vetëm një rast
Në banesat e lidhura me këtë rreth familjar janë mbajtur për vite me radhë shuma të mëdha parash cash, të grumbulluara jashtë çdo sistemi bankar dhe jashtë çdo logjike deklarimi, një praktikë që shpjegon edhe serinë e episodeve të përsëritura të vjedhjeve të ndodhura në këto banesa, ku vetëm një rast është raportuar zyrtarisht në polici, ndërsa pjesa tjetër e humbjeve është mbajtur në heshtje, jo për mungesë dëmi, por për pamundësinë për të justifikuar ligjërisht burimin e parave të mbajtura në shtëpi, destinacionin e tyre dhe arsyen pse shuma të tilla qarkullonin në cash, larg çdo gjurme financiare dhe larg çdo kontrolli institucional.
Familjarët e këtij rrethi ndërtojnë dhe shfaqin një mënyrë jetese luksoze, me makina të shtrenjta, udhëtime të shpeshta dhe shpenzime të mëdha, të mbështjella vazhdimisht me gjuhë fetare dhe etiketa bamirësie, ndërkohë që prapa kësaj fasade funksionon një sistem i mbyllur familjar ku të njëjtët emra mbajnë nën kontroll shoqata, shtypshkronja, biznese ndihmëse dhe flukse parash që nuk dalin kurrë në dritë.
Kjo veprimtari prodhon një zinxhir të qartë qarkullimi fondesh, ku bamirësia përdoret si mbulesë, aktiviteti ekonomik shërben si justifikim dhe pasuritë e paluajtshme bashkë me jetën luksoze përbëjnë destinacionin final të parave të ardhura nga donacione të errëta.
Në të njëjtën kohë zhvillohet një operacion i qëllimshëm për pastrimin e gjurmëve publike, ku artikuj investigativë zhduken nga Google, video goditen me strike në YouTube dhe redaksive u mbërrijnë kërkesa direkte drejt serverëve për bllokimin e përmbajtjes, gjithmonë me justifikimin e përdorimit të të dhënave personale, ndonëse bëhet fjalë për kompani, prona, transferta dhe veprimtari ekonomike me interes publik.
Kjo strategji mbështetet te përdorimi i njohurive teknike të të rinjve të lidhur me rrethin e Rasim Zekajt, për të anashkaluar ligjin dhe për të fshirë çdo artikull investigativ që ekspozon aktivitetin financiar të këtij rrjeti, duke synuar lodhjen dhe heshtjen e medias dhe jo përballjen me faktet.
Megjithëse ja kemi thënë edhe tek artikulli paraardhës po ta themi prap: Lodhesh kot me median, Rasim. E provoi edhe hoxhë Elvis Naçi, por nuk ia doli dot. “Çjerrja e maskës” fillon tani. Ulu dhe rehatohu!
Instituti Kanadez i Teknologjisë, lavatriçe pastrimi parash dhe lidhjet me donacionet e errëta nga Katari
Lidhjet shtrihen nga Tirana në Doha të Katarit, ku protagonist shfaqet profesori Ramiz Zekaj, një personazh që ka përvetësuar përmes manovrave financiare pasuri me vlerë miliona euro, produkt i donacioneve nga Katari dhe Kuvajti. Në këtë skemë përfshihen kolegji universitar, shtypshkronja, ambiente shoqatash bamirësie, vila, apartamente dhe rrjete dyqanesh, të gjitha të ndërtuara mbi para donacionesh të devijuara nga qëllimi fillestar.
Kolegji Universitar “Instituti Kanadez i Teknologjisë” funksionon si një strukturë që përzien fonde donacionesh nga Katari dhe Kuvajti me pagesa studentësh dhe burime të tjera, duke i devijuar drejt xhepave privatë. Veprimtaria zhvillohet prej vitesh nën vëzhgimin pasiv të institucioneve ligjzbatuese, që nuk kanë ndërhyrë as në momentin e tjetërsimit të godinës në Porcelan, Tiranë, një pasuri me vlerë miliona euro, e përfunduar në duart e Ramiz Zekajt për vetëm 900 mijë lekë.
Në vitin 2011 themelohet në Tiranë shoqëria “T.A.L.M. – Albania”, me objekt në fushën e arsimit dhe kërkimit shkencor, si degë e T.A.L.M Group në Doha të Katarit. Aktiviteti zhvillohet në ish-Bllok, në ambientet e Qendrës Zayed, me karakter fetar. Një nga asetet kryesore të kësaj shoqërie ishte Kolegji Universitar “Instituti Kanadez i Teknologjisë”.
Për regjistrimin e shoqërisë autorizohet Hamad Ben Abdennabi, shtetas tunizian me aktivitet të dyshimtë në Shqipëri. Pronari i T.A.L.M Group në Doha rezulton Gabim bin Saad Al Saad, sipërmarrës në pasuri të paluajtshme dhe themelues i disa organizatave bamirësie.
Në shtator 2012, shoqëria ndryshon emrin nga “T.A.L.M. – Albania” në “C.I.T”. Në vitin 2013 shfaqet Ganem Bin Saad Maged Al Saad Al Kuwari, të cilit i dhurohet kompania shqiptare nga T.A.L.M Group në Doha. Në gusht 2019, Ramiz Zekaj blen kompaninë “C.I.T” për 900 mijë lekë nga Al Kuwari, duke marrë në pronësi edhe godinën e Kolegjit Universitar.
Një pasuri me vlerë miliona euro kalon kështu në duart e Ramiz Zekajt për një shumë simbolike. Në krye të institucionit vendoset vetë Zekaj, ndërsa aktiviteti i Institutit Kanadez karakterizohet nga mungesë transparence dhe struktura të paqarta financiare.
Instituti Kanadez nuk është aseti i vetëm i ndërtuar mbi këtë skemë. Në Xhafzotaj të Durrësit, një godinë që funksionon si shtypshkronjë, me vlerë miliona euro, rezulton gjithashtu produkt i donacioneve të errëta nga Katari dhe Kuvajti. Pasuria përvetësohet nga Ramiz Zekaj, regjistrohet në emrin e bashkëshortes Ndriçime Zekaj dhe administrohet nga vëllai i tij, Rasim Zekaj.
Godina kamuflohet përmes fondacionit “Milenium i Ri 2”, i cili ka qarkulluar shuma të mëdha donacionesh pa transparencë. Përmes këtij fondacioni, i lidhur drejtpërdrejt me Institutin Kanadez, qarkullojnë çdo vit qindra mijëra euro, ndërsa aktiviteti formal i shtypshkronjës shërben për të justifikuar flukset financiare.
Fondacioni “Milenium i Ri 2” themelohet në shtator 2016 dhe kontrollohet nga Sky General Trading (52%), Mileniumi i Ri (40%) dhe Rasim Zekaj (8%), i cili mban edhe rolin e administratorit. Pronare e Mileniumi i Ri është Ndriçime Zekaj, bashkëshortja e Ramiz Zekajt, e cila kontrollon edhe shoqata të tjera, përfshirë Shoqatën “Gruaja”, të përfshira në qarkullime financiare të dyshimta.
Sky General Trading, me shumicë aksionesh në “Milenium i Ri 2”, funksionon si agjenci imobilare dhe përdoret për shndërrimin e parave të donacioneve në pasuri të paluajtshme. Administrator rezulton Rasim Zekaj, figura kyçe në menaxhimin e këtyre flukseve.
Ndërkohë që në Shqipëri Rasim Zekaj administron pasuri miliona euro, në Kosovë ai rezulton i përfshirë në një dosje korrupsioni dhe mashtrimi me fondet publike të bujqësisë. Sipas dosjes penale, përmes kompanisë “Organic Herbs”, Zekaj përfitoi subvencione për bimë medicinale, ndërkohë që në terren kishte mbjellë jonxhë, kulturë që nuk përfshihej në skemën e subvencionimit.
Paratë publike, sipas hetimit, janë devijuar për ndërtimin e vilave pa leje në zonën turistike të Stankajt në Pejë. Në dosje përmenden ryshfete ndaj zyrtarëve të AZHB-së, përfshirë drejtorin Luan Statovci, i arrestuar në vitin 2021, si dhe sekuestrime masive cash, armësh dhe automjetesh.
Evidenca, dokumente dhe transaksione tregojnë se vëllezërit Ramiz dhe Rasim Zekaj qëndrojnë pas një skeme të strukturuar për pastrimin e parave të donacioneve nga Katari dhe Kuvajti, të shndërruara në pasuri të paluajtshme nga Tirana në Prishtinë, nën maskën e bamirësisë dhe ligjërimeve fetare.
Nawaf Mohamed Ali Humoud Fawaz dhe Ganem Bin Saad Maged Al Saad Al Kuwari rezultojnë personazhe kyç në këtë skemë, ndërsa aktiviteti ka funksionuar për vite të tëra nën hundën e institucioneve ligjzbatuese shqiptare.
@Pamfleti