“Duka drejton, Fevziu lëviz: FSHF shndërrohet në teatrin e marionetave”

Nuk ka garë në FSHF, as nuk ka pasur ndonjëherë. Ka vetëm një skenë të mbyllur ku rolet ndahen në heshtje dhe publikut i shitet ideja e një procesi demokratik. E megjithatë, në gjithë këtë teatër të vjetër e të konsumuar, surpriza më e madhe nuk është kandidatura e përjetshme e Armando Dukës, por futja e papritur dhe krejtësisht qesharake e Blendi Fevziut në listën e Komitetit Ekzekutiv, sikur bëhet fjalë për ndonjë festival ku mjafton të jesh personazh i njohur për t’u futur në prapaskenë.

Prania e Fevziut nuk është rastësi, as shenjë e ndonjë pasioni të vonuar për futbollin, është një tregues i qartë i mënyrës si funksionon FSHF-ja: aty nuk hyhet me projekt, as me vizion, por me emër, me ndikim dhe me llogari që shkojnë shumë më tej se sporti. Në vend që futbolli të kërkojë ekspertizë dhe profesionalizëm, na serviret një figurë televizive që deri dje pretendonte se ishte zëri kritik i vendit, e sot rreshtohet në një strukturë që ka nevojë të dëgjojë kritika, jo t’i blejë ato.

Shfaqja e tij në këtë listë e zhvesh nga çdo pretendim objektiviteti, duke e kthyer në shembullin më të qartë të asaj që ndodh kur gazetaria humbet dinjitetin dhe shndërrohet në dekor të pushtetit. Nuk ka më asnjë vijë ndarëse mes mikrofonit dhe zyrës, mes kritikës dhe servilizmit, mes gazetarit dhe funksionarit. Ka vetëm një amulli të turpshme ku një moderator hyn në një institucion sportiv, jo për t’u marrë me futboll, por për t’i dhënë federatës një fytyrë të njohur, një status të ri, një prekje televizive që e maskon farsën si normalitet.

Në një kohë kur futbolli shqiptar ka nevojë për reformë, integritet dhe ajër të pastër, FSHF zgjedh të fusë brenda një figurë që simbolizon pikërisht të kundërtën: përzierjen e interesave, kapjen e mediave dhe zhdukjen e çdo distance profesionale. Dhe nëse kjo nuk është ironia më e madhe e sportit shqiptar, atëherë vështirë të gjesh një tjetër. Sepse në fund të ditës, nuk është Fevziu ai që hyn në FSHF, por është FSHF-ja ajo që futet në media, duke përdorur një gazetar për të mbyllur edhe atë pak hapësirë që mund të kishte për kritikë të ndershme.

Komento lajmin