Nga Rolls Royce 500 mijë euro te Lamborghini e skafet luksoze — shteti nxjerr në shitje makinat e krimit

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara ka publikuar katalogun e përditësuar të automjeteve super luksoze të sekuestruara nga dosje kriminale, shumica nën hetim të SPAK. Në listë spikasin mjete me vlera marramendëse, duke nisur nga Rolls Royce 500 mijë euro, tek Lamborghini Urus, Mercedes AMG, Porsche, e deri tek skafet e shpejtësisë.

Pasuri të blera me para të krimit, që sot janë në administrim të shtetit dhe pritet të dalin në ankand.

Lamborghini, BMW dhe skafet e sekuestruara

Katalogu hapet me një Lamborghini URUS të vitit 2022, me vlerë rreth 140 mijë euro, i sekuestruar nga GJKKO me kërkesë të SPAK në tetor të vitit të kaluar. Në listën e mjeteve të vitit 2025 gjenden edhe një BMW me vlerë 30 mijë euro, si dhe tre skafe, dy prej të cilëve vlerësohen 45 mijë euro secili dhe një tjetër 18 mijë euro.

Rolls Royce PHANTOM – 520 mijë euro

Mjeti më i shtrenjtë i katalogut është një Rolls Royce PHANTOM, me vlerë rreth 520 mijë euro, i konfiskuar në nëntor të vitit 2022 me vendim të GJKKO-së. Makina super luksoze është tashmë në pronësi të shtetit.

Makina të trafikut të drogës dhe grupeve kriminale

Mes mjeteve spikat edhe një Mercedes Benz AMG G63, i sekuestruar në vilën e Ermir Ndreajt, ish-pronar i “Cinco Cavalli”, i arrestuar si pjesë e grupit të trafikut të 411 milionë euro drogë në Evropë. Po nga e njëjta dosje rezulton i sekuestruar edhe një tjetër Mercedes me vlerë 40 mijë euro.

Në oborrin e SPAK vijon të qëndrojë si provë materiale një Range Rover kafe, vlerë 59 mijë euro, ndërsa një BMW e zezë vlerë 30 mijë euro është ende e paprekur që prej sekuestrimit në vitin 2022.

Në listë renditen gjithashtu një Porsche i vitit 2023 me vlerë 65 mijë euro, një Audi A8 i blinduar me vlerë 45 mijë euro, si dhe një Audi RS Q8 me vlerë 90 mijë euro, i sekuestruar gjatë goditjes së një grupi tjetër të trafikut ndërkombëtar të drogës.

Katalogu përfshin edhe një Lexus LX570 prej 70 mijë euro, i sekuestruar që prej vitit 2022.

Mijëra mjete të tjera në administrim të AAPSK

Agjencia administron dhjetëra mjete të tjera të sekuestruara dhe të konfiskuara, me vlera nga 10 deri në 40 mijë euro. Vlerat e publikuara janë çmimet e blerjes, ndërsa shitja në ankand pritet të jetë më e ulët.

AAPSK: Rritje transparence dhe publikimi i katalogëve

Sipas njoftimit, qëllimi i publikimit të katalogëve është rritja e transparencës dhe informimit publik mbi pasuritë që i kalojnë shtetit nga goditja e krimit të organizuar. Dokumenti paraqet të dhëna të detajuara për secilin mjet, statusin ligjor, vlerën dhe vitin e prodhimit.

Publikimi i këtij katalogu vjen pas publikimit të listave të pasurive të tjera të sekuestruara dhe konfiskuara, duke plotësuar panoramën e pasurive që administron shteti në kuadër të vendimeve gjyqësore dhe hetimeve të SPAK.

AAPSK e konsideron këtë proces si pjesë të forcimit të besimit publik dhe llogaridhënies institucionale.

Komento lajmin