Mësohen kundërshtarët e mundshëm në play-off: Interi dhe Reali mund të gjejnë Mourinhon, Juventusi përballë Brugge ose Galatasaray

Champions League ka mbyllur fazën e ligës dhe panorama e skuadrave të kualifikuara tashmë është plotësuar. Të gjitha ekipet që do të luajnë në play-off kanë mësuar rivalët e mundshëm, ndërsa shorti zyrtar do të hidhet nesër në orën 12:00 në Nyon të Zvicrës. Ky short do të përcaktojë rrugën drejt finales së madhe që këtë vit zhvillohet në Budapest.

Interi dhe Reali, rrezik përballë Mourinhos

Real Madridi dhe Interi kanë të njëjtët dy kundërshtarë të mundshëm: Benfican dhe Bodo/Glimt. Kjo do të thotë se Jose Mourinho, aktualisht trajner i Benficas, mund të përballet pikërisht me dy klubet ku ka shkruar historinë.

Nëse Reali ose Interi kalojnë play-off-in, më tej do të ndeshen me një nga skuadrat më të forta të këtij edicioni: Manchester City ose Sporting Lisbonë.

Juventusi me një nga Galatasaray ose Club Brugge

Juventusi pritet të “peshkojë” një rival mes Galatasaray ose Club Brugge. Në rast kualifikimi, bardhezinjtë do të udhëtojnë në Angli, ku i pret një mes Liverpool ose Tottenham.

Atalanta e Gjimshitit me sfidë të vështirë

Atalanta e kapitenit të kombëtares shqiptare Berat Gjimshiti pritet të përballet me një mes Olympiacos ose Borussia Dortmund. Nëse kualifikohet, skuadra bergamaske do të përballet me Bayern Munich ose Arsenal, dy nga favoritët kryesorë të turneut.

Si ndahet shorti i fazës play-off?

Skuadrat janë renditur sipas pozicioneve 9 deri në 24 pas fazës së ligës dhe do të shortohen në këtë mënyrë:

  • Pozicionet 9–10 do të luajnë ndaj pozicioneve 23–24
  • Pozicionet 11–12 ndaj pozicioneve 21–22
  • Pozicionet 13–14 ndaj pozicioneve 19–20
  • Pozicionet 15–16 ndaj pozicioneve 17–18

Skuadrat nga i njëjti shtet mund të përballen që në këtë fazë. Po ashtu nuk ka pengesa edhe nëse ekipet janë ndeshur më parë në fazën e ligës.

Kur zhvillohen ndeshjet?

Play-off-i do të zhvillohet me dy ndeshje:

  • Ndeshjet e para: 17 dhe 18 shkurt
  • Ndeshjet e kthimit: 24 dhe 25 shkurt

Verdiktet e plota të Champions League pas fazës së ligës

Skuadrat që shkojnë direkt në 1/8-at

Arsenal, Bayern Munich, Liverpool, Tottenham, Barcelona, Chelsea, Sporting Lisbonë, Manchester City

Skuadrat që do luajnë në play-off

Real Madrid, Inter, PSG, Newcastle, Juventus, Atletico Madrid, Atalanta, Leverkusen, Dortmund, Olympiacos, Club Brugge, Galatasaray, Monaco, Qarabag, Bodo/Glimt, Benfica

Skuadrat e eliminuara

Marseille, Pafos, Union Saint-Giroise, PSV, Athletic Bilbao, Napoli, FC Copenhagen, Ajax, Frankfurt, Slavia e Pragës, Villarreal, Kairat Almaty

Komento lajmin