Kushtetuesja i mbyll derën Ilir Beqajt: Rrëzohet padia për shfuqizimin e masës “arrest në burg”

Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë padinë e ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, i cili kërkonte shfuqizimin e masës së sigurisë “arrest në burg”. Beqaj ndodhet prej më shumë se një viti në paraburgimin e Durrësit dhe pretendonte se vendimet e mëparshme të gjykatave nuk ishin në përputhje me Kushtetutën.

Ai kishte kërkuar anulimin e vendimeve të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, Gjykatës së Posaçme të Apelit dhe Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si edhe kthimin e çështjes për rigjykim. Po ashtu kërkoi që shpenzimet gjyqësore t’i ngarkoheshin palës së interesuar. Asnjë nga këto kërkesa nuk u pranua.

Arrestimi dhe akuzat

Ilir Beqaj u arrestua më 4 korrik 2024 me urdhër të SPAK për çështjen e fondeve të SASPAC, ku akuzohet për abuzim me donacionet e ardhura nga partnerët ndërkombëtarë. Paralelisht ai përballet edhe me procesin për dosjen e “Sterilizimit”.

Akuzat e SPAK përqendrohen te veprat e shpërdorimit të detyrës dhe dyshimet për vjedhje nëpërmjet funksionit publik gjatë kohës kur ai drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë. Prokuroria e lidh përgjegjësinë e tij me koncesionin 10-vjeçar të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, një kontratë prej afro 100 milionë dollarësh e firmosur në dhjetor 2015, e cila vazhdon të jetë aktive.

Përpjekjet për liri

Gjatë vitit të fundit Beqaj ka bërë disa kërkesa për t’u liruar nga qelia, por çdo tentativë është rrëzuar nga gjykatat e të gjitha niveleve. Vetëm dy ditë pas arrestimit ai ofroi një garanci pasurore prej 50 mijë eurosh, por propozimi u refuzua si nga SPAK ashtu edhe nga gjykata, duke u konsideruar i pamjaftueshëm.

Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese e lë ish-ministrin në të njëjtën situatë dhe e vështirëson më tej mundësinë për të dalë nga paraburgimi, ndërsa proceset penale ndaj tij vazhdojnë në dy nga dosjet më të rëndësishme të viteve të fundit.

Komento lajmin