Interpol Tirana konfirmoi sot ekstradimin nga Zvicra drejt Shqipërisë të 37-vjeçarit Jozi Kraja, lindur në Shkodër, i cili kërkohej nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
Operacioni u finalizua pas bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Bern, ndërsa ndaj Krajës ishte vendosur masa “arrest në burg” nga GJKKO më 15 maj 2024.
Sipas hetimeve të SPAK, ai akuzohet për tre vepra të rënda penale:
- Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje
- Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal
- Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale
Prokuroria dyshon se, për rreth katër vite (dhjetor 2020 – maj 2024), Kraja ka luajtur rol kyç në sigurimin e kushteve dhe logjistikës për ekzekutimin e vëllezërve Durim dhe Valter Bami, objektivë të njohur të disa grupeve kriminale.
Materialet procedurale tashmë janë dorëzuar pranë autoriteteve shqiptare, të cilat do të vijojnë me veprimet ligjore të rradhës.