Procesi ndaj Leonard Dukës i akuzuari kërkon pafajësinë nëna e Malkos shpërthen në sallë kërkoj dënimin maksimal

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të shpallë më 21 janar, në orën 11:45, vendimin për Leonard Dukën, për të cilin SPAK ka kërkuar 32 vite burg si i akuzuar për vrasjen e ish-policit privat Santiago Malko.

Në seancën e fundit, mbrojtja e të pandehurit kundërshtoi ashpër të gjitha pretendimet e prokurorisë. Avokatja Melina Gjeta i cilësoi konkluzionet e SPAK si të pambështetura në prova dhe të bazuara mbi deduksione, duke argumentuar se dosja shkon përtej standardeve ligjore dhe mbështetet kryesisht në raportime mediatike, e jo në fakte të verifikueshme.

Mbrojtja vuri në dyshim edhe dëshminë e Blendi Tetës, të cilin e cilësoi si dëshmitar të pavlefshëm, pasi ai ka deklaruar se është kërcënuar e vënë nën presion nga policia dhe persona të tjerë. Avokatja theksoi se këtë e konfirmon edhe dëshmia e të bashkëpandehurit Ilir Selmani, i cili ka folur për një pagesë prej 500 mijë eurosh që, sipas tij, është përdorur për të “fundosur” vëllezërit Duka.

Një tjetër pikë e fortë e kundërshtimeve ishte motivi i vrasjes. Sipas mbrojtjes, dy plagosjet e mëparshme që përfliten se lidhen me Santiago Malkon janë ende pa autor dhe me procedime të pezulluara, duke bërë që prokuroria të mos ketë bazë ligjore për të përcaktuar një motiv zyrtar.

Në seancë u kundërshtuan edhe transkriptet e aplikacionit Sky, të cilat mbrojtja i cilësoi si prova të paligjshme që cenojnë të drejtën e fshehtësisë së komunikimit. Sipas avokates, përgjimet janë administruar në mënyrë masive nga autoritetet franceze, pa orientim të qartë dhe pa ndjekur procedurat e identifikimit të kodeve. Vetë Leonard Duka deklaroi se nuk ka përdorur kurrë aplikacionin Sky.

I pandehuri përsëriti para gjykatës se është i pafajshëm. “Nuk ka asnjë fakt kundër meje. Kam besim te drejtësia”, u shpreh ai.

Në sallën e gjyqit, prania e nënës së Santiago Malkos solli momente të forta emocionale. Ajo deklaroi se Duka është përgjegjës për vrasjen e të birit dhe kërkoi dënimin maksimal për të. “Nuk dua burg të përjetshëm. Dua dënim me vdekje,” tha ajo, duke shpërthyer në lot.

Gjykata do të japë vendimin final më 21 janar, ora 11:45, ndërsa palët presin me tension këtë çështje që ka rikthyer vëmendjen mbi një nga ngjarjet më të rëndë kriminale të viteve të fundit.

Komento lajmin