Çmimet e arit dhe argjendit arritën nivele rekord të hënën, ndërsa tregjet e aksioneve pësuan rënie, në një reagim të drejtpërdrejtë ndaj paralajmërimeve të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për vendosjen e tarifave të reja ndaj vendeve evropiane që kundërshtojnë propozimin e tij për Groenlandën.
Ari u ngjit në 4,689.39 dollarë për ons, ndërsa argjendi arriti në një nivel historik prej 94.08 dollarësh për ons. Rritja vjen në një kohë kur investitorët po largohen nga tregjet e rrezikshme dhe po orientohen drejt aseteve të ashtuquajtura “strehë e sigurt”, mes rritjes së pasigurisë gjeopolitike dhe ekonomike.
Në të kundërt, tregjet e aksioneve në Evropë regjistruan rënie të ndjeshme. Investitorët reaguan negativisht ndaj përshkallëzimit të tensioneve mes SHBA-së dhe Evropës, pas njoftimit për tarifa të reja tregtare.
Trump bëri të ditur se nga 1 shkurti do të hyjë në fuqi një tarifë 10% për mallrat që importohen nga Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Holanda dhe Finlanda. Ai paralajmëroi se kjo tarifë mund të rritet deri në 25%, nëse nuk arrihet një marrëveshje për Groenlandën.
Ndërkohë, raportimet nga Brukseli sugjerojnë se Bashkimi Evropian po shqyrton kundërmasa, përfshirë një paketë tarifash prej 93 miliardë eurosh ndaj importeve amerikane.
Pasiguria e krijuar nga kjo përplasje tregtare nxiti një tjetër valë blerjesh të arit dhe argjendit. Vetëm gjatë vitit të kaluar, çmimi i arit është rritur me më shumë se 60%, i ndikuar nga tensionet globale dhe frika për një ngadalësim ekonomik.
Në tregjet evropiane, rëniet u ndjenë veçanërisht në sektorët e industrisë automobilistike, teknologjisë dhe mallrave luksoze.
Në Gjermani, indeksi DAX ra me rreth 1%, ndërsa aksionet e kompanive automobilistike si BMW, Mercedes-Benz dhe Volkswagen pësuan humbje nga 3 deri në 4%.
Në Francë, indeksi CAC 40 u ul me 1.4%, me kompani të mëdha të luksit si LVMH dhe Hermès mes humbësve kryesorë të ditës.
Tregjet mbeten në pritje të zhvillimeve të mëtejshme, ndërsa investitorët po peshojnë rrezikun e një përshkallëzimi të ri të luftës tregtare mes SHBA-së dhe Evropës, që mund të ketë pasoja të gjera për ekonominë globale.