Operacioni policor kundra Ndrangheta-s, zbardhen emrat e shqiptarëve të arrestuar

Autoritetet italiane kanë finalizuar një operacion të gjerë antidrogë në Milano, ku në pranga kanë rënë 28 persona, mes tyre edhe pesë shtetas shqiptarë. Sipas Guardia di Finanza, 25 prej të arrestuarve janë lënë në burg, ndërsa tre të tjerë në arrest shtëpie.

Shqiptarët e ndaluar gjatë këtij operacioni janë Marjus Aliu, Fation Aliu, Ervin Bashmeta, Kujtim Daiu dhe Artur Hoxhosmani. Ata akuzohen për përfshirje në një organizatë kriminale që dyshohet se ka lidhje me ’Ndranghetan e zonës së Lokrisë si edhe me grupe shqiptare.

Hetimet të zhvilluara kryesisht përmes analizimit të komunikimeve në platformën SkyEcc kanë zbuluar një rrjet të gjerë trafiku kokaine, me vlerë të vlerësuar mbi 27 milionë euro. Sipas autoriteteve italiane, droga dyshohet se importohej nga Amerika e Jugut dhe ishte destinuar për tregun e Lombardisë.

Operacioni konsiderohet një nga goditjet më të rëndësishme të muajve të fundit kundër rrjeteve të trafikut ndërkombëtar të drogës. Autoritetet italiane kanë bërë të ditur se hetimet po vijojnë për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë.

Komento lajmin