Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, përjetoi sot një episod aspak të zakonshëm në Strasburg, ku iu lejua të fliste vetëm një minutë, ndonëse koha standarde për folësit shkon deri në tre minuta. Shkaku? Berisha doli nga tema e debatit dhe u zhyt në deklarata politike për situatën e brendshme në Shqipëri.
Në vend që t’i përmbahej diskutimit zyrtar të Asamblesë, Berisha e përdori fjalën e tij për të shpallur “krizë zgjedhore”, duke hedhur dyshime mbi lirinë e zgjedhjeve dhe duke i cilësuar ato “farsë”. Ai përsëriti akuzat e vjetra ndaj “shtetit-parti” dhe “narkoshtetit”, duke pretenduar se krimi dhe droga kthehen në vota e më pas në favore politike dhe ekonomike.
Kulmi erdhi kur Berisha filloi t’i referohej drejtpërdrejt kryeministrit Edi Rama dhe çështjeve të brendshme të prokurorisë e hetimeve. Pikërisht në këtë moment, Presidentja e Asamblesë ndërhyri prerë: “Zoti Berisha, ju keni dalë nga tema, fjala përfundon këtu.”
Fjala iu ndërpre menjëherë dhe fjala iu kalua folësit pasardhës, si një sinjal i qartë se Strasburgu nuk ka ndërmend të tolerojë devijime politike të folësve, aq më pak të përdoret si platformë për betejat e brendshme shqiptare.
Regjistrimi me Albanën – jo rastësi, por plan B
Pamjet që Berisha shpërndau më pas – të regjistruara në hollin e Asamblesë, ku ai fliste para kamerës me Albana Vokshin duke filmuar – nuk ishin aspak spontane.
Burimet konfirmojnë se Berisha nuk u lejua të mbante një deklaratë të zgjeruar brenda seancës, ndaj regjistrimi u bë në korridor që materiali të përdorej më pas në Tiranë, për konsum politik të brendshëm. Videoja e shfaqur në rrjetet e tij shërbeu si kompensim për minutazhin e pakët dhe ndërprerjen publike.
Fakti që një ish-kryeministër ndërpretet në Strasburg për devijime nga tema e debatit nuk është vetëm një shenjë protokolli—por edhe një sinjal i qartë për mënyrën si perceptohen sot akuzat e tij nga strukturat ndërkombëtare.