Raportime për një tentativë grushti shteti në Kinë: Xi shmangu arrestimin nga ushtria, në qendër gjenerali Zhang Youxia

Në Kinë po qarkullon prej ditësh një valë raportimesh të pakonfirmuara, që flasin për një tentativë të pasuksesshme grushti shteti kundër presidentit Xi Jinping. Ngjarja, e cila po përhapet me shpejtësi në rrjetet sociale dhe portale ndërkombëtare, lidhet me gjeneralin e njohur Zhang Youxia, nënkryetar i Komisionit Qendror Ushtarak (CMC), një nga figurat më të fuqishme të ushtrisë kineze.

Komandantë të ushtrisë të përfshirë në një operacion të dyshuar arrestimi

Sipas këtyre burimeve jozyrtare, më 18 janar gjenerali Zhang Youxia dyshohet se ka dërguar një kompani trupash – mbi 100 ushtarë – drejt hotelit Jingxi në Perëndim të Pekinit, një objekt i njohur për mbledhjet e nivelit të lartë të udhëheqjes kineze. Misioni i tyre, sipas raportimeve, ishte arrestimi i presidentit Xi.

Por tentativa është zbuluar më herët nga një informator brenda strukturave, duke i dhënë Xi-së kohë të mjaftueshme për kundërmasa. Trupat e Gardës Qendrore të drejtuara nga Cao Qi dyshohet se i kanë zënë pritë forcave të Zhang Youxia-s.

Përleshje e armatosur dhe pasoja të rënda

Në atë që përshkruhet si një shkëmbim zjarri në ambientet e hotelit Jingxi, raportohet për të paktën 9 roje të vrarë nga mbrojtja e presidentit dhe dhjetëra ushtarë të komanduar nga Zhang.

Ndërkohë, sipas këtyre raporteve, në mbarë Kinën janë pezulluar lëvizjet e trupave dhe shumë njësi janë urdhëruar të qëndrojnë të mbyllura në kazerma, një masë e jashtëzakonshme kontrolli ushtarak që rrallë zbatohet.

Arrestimet zyrtare: Zhang Youxia akuzohet për shkelje të rëndë të disiplinës

Megjithëse autoritetet kineze nuk kanë konfirmuar drejtpërdrejt një tentativë grushti shteti, media shtetërore ka bërë publike arrestimin e gjeneralit Zhang Youxia dhe një anëtari tjetër të Komisionit Qendror Ushtarak, Liu Zhenli, për “shkelje të rënda të disiplinës dhe ligjit”.

Gazeta zyrtare e Ushtrisë Çlirimtare Popullore ka shkuar edhe më tej, duke e akuzuar Zhang për një “tradhti serioze të besimit që i është dhënë nga Partia dhe Komisioni Ushtarak Qendror”. Tonaliteti i fortë dhe njoftimi i menjëhershëm interpretohen nga shumë analistë si tregues se struktura të larta të ushtrisë kanë qenë realisht të përfshira në një krizë të brendshme.

Ngjarja më serioze që prej vitit 1971?

Nëse raportimet rezultojnë të vërteta, ky do të ishte skandali më i rëndë brenda ushtrisë kineze që nga viti 1971, kur Lin Biao – pasuesi i Mao Ce Dunit – u akuzua për përpjekje për grusht shteti dhe vdiq në rrethana të paqarta.

Për momentin, asnjë institucion ndërkombëtar dhe as Pekini zyrtar nuk kanë komentuar thashethemet që qarkullojnë në internet, por arrestimi i dy figurave të nivelit më të lartë ushtarak dhe gjuha e ashpër e përdorur në komunikimet zyrtare kanë intensifikuar dyshimet për një përplasje të brendshme në hierarkinë e ushtrisë kineze.

Komento lajmin