Ish-drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, është shfaqur në një ambient privat, i ulur në tavolinë me persona me precedent penal, duke pirë alkool dhe duke kënduar këngë labçe. Mes tyre, sipas faqes Traktet, ndodhet edhe Andon Pago, i dënuar për mashtrim.
Videoja, e publikuar në Facebook nga Traktet, tregon Dumanin pa badigardë dhe pa eskortë, në një shoqëri që për nga profili nuk ka asnjë lidhje me figurën e një ish-prokurori që deri dje duhej të mbante distancë të hekurt nga persona të përfshirë në hetime apo dënime penale.
Pamjet paraqesin një atmosferë krejt informale, birra mbi tavolinë, gota të ngritura, këngë dhe një shoqëri me emra të njohur në zonë për probleme me drejtësinë. Në mes të tyre, Dumani. Sipas Traktet, kjo nuk është një shoqëri rastësore, as një përzierje e pafajshme njerëzish “të thjeshtë”, por një rreth ku disa janë dënuar ose akuzuar ndër vite.
Dalja publike vjen pikërisht në një periudhë kur Dumani pritej të ndërmerrte veprime konkrete në detyrë, përfshirë masat ndaj gjyqtares së dënuar Irena Gjoka. Në vend të një qëndrimi institucional, pamjet e tregojnë në festë, mes njerëzve që drejtësia i ka trajtuar si shkelës të ligjit.
Faqja Traktet kujton edhe një deklaratë të dikurshme të Dumanit, ku ai shprehej se “ëndrra e tij ishte të jetonte si një njeri i thjeshtë”. Videoja duket se e realizon këtë dëshirë, por jo siç e imagjinonin qytetarët: një njeri i thjeshtë, po, por ulur në tavolinë me persona me rekorde penale, jo me njerëzit që presin drejtësi, barazi dhe integritet nga institucionet.
Pamjet nuk lënë shumë vend për interpretim. Ato tregojnë qartë se ish-kreu i SPAK ndodhet në një ambient privat duke pirë dhe kënduar me persona që drejtësia shqiptare i ka dënuar. Problemi nuk është festa, por shoqëria, momenti dhe mesazhi që vjen pas saj.
Në një kohë kur vendi pret seriozitet dhe integritet nga ata që kanë mbajtur pozitat më të larta të drejtësisë, ky kontrast është i fortë. Dhe flet vetë.