Ekzekutoi Elton Çiçon brenda lokalit në ish Bllok kush është Jani Aliaj që u vra në burgun grek

Shtetasi shqiptar Jani Aliaj u vra të hënën brenda burgut të sigurisë së lartë në Koridhallos të Greqisë. Ngjarja ndodhi në krahun e tretë të institucionit, në rrethana që ende nuk janë zbardhur plotësisht nga autoritetet greke.

Sipas raportimeve, Aliaj u sulmua me një mjet të mprehtë të improvizuar nga një tjetër i burgosur me kombësi greke. Plagët rezultuan fatale dhe ai ndërroi jetë pak minuta më vonë.

Jani Aliaj ishte i dënuar me burgim të përjetshëm nga drejtësia shqiptare për vrasjen e Elton Çiços, ekzekutim i kryer në 1 maj 2016 brenda lokalit “De Niro” në zonën e ish Bllokut në Tiranë. Ngjarja tronditi opinionin publik për shkak të mënyrës së ekzekutimit dhe faktit që Çiço ishte ulur në një tryezë me një oficer policie, një mjek dhe një gazetar të kronikës së zezë. Pavarësisht pranisë së personave të armatosur dhe dëshmitarëve të shumtë, Aliaj hyri në lokal dhe e qëlloi Elton Çiçon në kokë me gjakftohtësi, duke e lënë të vdekur në vend.

Konflikti mes dy grupeve kriminale të Tepelenës, ku bënin pjesë Aliaj dhe Çiço, është shumë më i hershëm dhe është shoqëruar me një sërë ngjarjesh të përgjakshme. Si pikënisje e këtij zinxhiri ngjarjesh dyshohet të ketë qenë vrasja e shokut të fëmijërisë së Elton Çiços, e kryer nga Jani Aliaj vite më parë. Përveç pistës së hakmarrjes, policia ka hetuar edhe prishjen e pazareve të trafikut të drogës në Greqi, ku të dy grupet kanë operuar prej gati dy dekadash.

Përpara vrasjes së Çiços, Jani Aliaj ishte shënjestër e disa atentateve. Më 10 janar 2016 ai u qëllua disa herë nga një makinë në lëvizje në Tiranë, por arriti të shpëtonte pa lëndime. Vetëm një kalimtar i rastit mbeti i plagosur lehtë. Vetëm tre muaj më vonë, më 25 prill 2016, Aliaj u godit sërish nga persona të panjohur në Gjirokastër, duke marrë plagë të lehtë në dorë. Edhe atëherë ai nuk denoncoi askënd dhe mohoi të kishte konflikte.

Vetëm një javë pas atentatit të Gjirokastrës, më 1 maj 2016, u ekzekutua Elton Çiço në lokal. Për këtë vrasje policia shpalli si autorë Jani Aliajn dhe Renato Milloshin.

Pas ngjarjes, Aliaj u arratis në Greqi dhe u kap në Athinë në janar të vitit 2025, ku u arrestua për llogari të drejtësisë shqiptare. Që prej atij momenti ai mbahej në burgun e sigurisë së lartë në Koridhallos.

Vrasja e tij brenda burgut grek hap sërish dosjen e gjatë të konfliktit mes dy grupeve kriminale, një histori e mbushur me atentate, hakmarrje dhe viktima, që ka zgjatur për më shumë se dy dekada.

Komento lajmin