Prokuroria e Durrësit zbulon skemën Ndoci 5 vizita në 3 muaj dyshime për spital “VIP’’ për të burgosur të pasur

Në tre muajt e fundit para arratisjes spektakolare të 13 janarit, Altin Ndoci rezulton të ketë qenë një nga “pacientët” më të shpeshtë të Spitalit të Durrësit. Prokuroria ka ngritur dyshime të forta se këto vizita kanë qenë fiktive dhe pjesë e skemës së njohur ku të burgosurit me para sigurojnë shërbime speciale jashtë qelisë nën petkun e kujdesit shëndetësor.

Sipas të dhënave zyrtare, nga viti 2020 deri në vitin 2024 Ndoci ishte shoqëruar vetëm katër herë në spital për arsye shëndetësore. Por nga 8 tetori 2025 deri në ditën e arratisjes, ai del pesë herë të tjera, një rritje e menjëhershme dhe e pashpjegueshme krahasuar me historikun e tij.

Tre nga këto dalje ndodhën nën drejtimin e Indrit Cerlojt, tashmë i arrestuar për shpërdorim detyre në lidhje me arratisjen e Ndocit.

Pesë vizitat e fundit të Ndocit në spital:

  1. 08.10.2025 Drejtor Institucioni Ervis Dedej
  2. 24.10.2025 Drejtor Institucioni Edmond Llabani i komanduar
  3. 26.11.2025 Drejtor Institucioni Indrit Cerloj
  4. 18.12.2025 Drejtor Institucioni Indrit Cerloj
  5. 13.01.2026 Drejtor Institucioni Indrit Cerloj

Prokuroria thekson se nuk ka asnjë provë që këto shtrime kanë qenë të domosdoshme. Përkundrazi, shifrat flasin vetë, pesë dalje në 90 ditë ndërkohë që në katër vite kishte vetëm katër të tilla.

Dalje jashtë çdo procedure dhe pa gjurmë dokumentare

Sipas dosjes hetimore, asnjë prej këtyre daljeve nuk figuron në komunikatat ditore të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Po ashtu nuk është njoftuar as Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në burgje, një shkelje e rëndë e çdo protokolli të sigurisë.

Ky është një sinjal alarmant se vizitat nuk janë kryer sipas rregullave zyrtare, por janë organizuar në mënyrë të fshehtë dhe të qëllimshme.

Skema e të burgosurve të pasur që dalin në spital si në zonë të lirë

Prokuroria citon informacionet e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve, sipas të cilave të burgosurit me rrezikshmëri të lartë dhe me gjendje të fortë ekonomike paguajnë për të dalë në spital, ku u mundësohen takime speciale ose favore të tjera, duke e kthyer spitalin në territor të lirë.

Dyshohet se e njëjta metodë është përdorur edhe për Ndocin.

Vizita e fundit e datës 13 janar, dërguar në spital pa u vizituar nga mjekja e burgut

Në rastin e fundit, Ndocit iu hap porta e spitalit pa u vizituar fare nga mjekja e burgut. Rekomandimi ishte firmosur vetëm me kërkesë të kryeinfermierit Altin Cuku.

Ai u transportua me ambulancën e burgut, së bashku me një tjetër të paraburgosur, nën shoqërimin e vetëm pesë punonjësve të sigurisë, ndërkohë që rregullat kërkojnë tre punonjës për secilin të burgosur. Edhe vlerësimi i sigurisë ishte i pabesueshëm, pasi megjithëse Ndoci ishte i akuzuar për vepra të rënda, përfshirë vrasje, ai ishte klasifikuar si person që nuk paraqet rrezikshmëri të lartë.

Një vlerësim që i lejoi të arratisej pa asnjë pengesë.

Një skemë e gjerë favoreve, jo një episod i izoluar

Rasti i Ndocit tregon se burgu i Durrësit nuk ka pasur thjesht një problem sigurie, por një sistem favorsh ku vizitat fiktive, ryshfetet dhe daljet e fshehta janë bërë rutinë për të burgosurit e pasur.

Hetimet pritet të shtrihen tek drejtuesit, mjekët, infermierët, punonjësit e sigurisë dhe tek të gjithë ata që kanë firmosur ose kanë mbyllur sytë në këtë skemë.

Arratisja e Ndocit ishte vetëm kapitulli i fundit i një historie të gjatë shkeljesh, që tani po zbardhet rresht pas rreshti nga Prokuroria e Durrësit.

Komento lajmin