Kur krimi del nga burgu dhe drejtësia mbetet në kolltuk

Besfort Lamallari nuk është thjesht i pafuqishëm në detyrë; ai është i panevojshëm për mënyrën se si funksionon realisht pushteti sot. Një ministër që mban titullin, por jo barrën. Një figurë që rri mbi karrige, jo mbi vendimmarrje. Dhe arratisja nga spitali i burgut e një personi të akuzuar për katër vrasje e zhvesh këtë institucion deri në kockë.

Le ta themi qartë: nuk u arratis një i dyshuar periferik. U largua një individ që SPAK e lidh me katër ekzekutime, me grabitje me dhunë dhe me rrjete të krimit të organizuar. Një njeri që, sapo doli nga kontrolli i shtetit, nuk u bë më pak i rrezikshëm. Përkundrazi. Tani që është i lirë, rreziku nuk është vetëm i njëjtë, por mund të shtohet. Sepse llogaritë e hapura nuk mbyllen me arratisje, hapen.

Dhe çfarë bën Ministria e Drejtësisë? Asgjë me peshë. Sepse peshë nuk ka. Lamallari është produkt tipik i një stili qeverisës ku ministrat zgjidhen për bindje dhe qetësi, jo për integritet dhe përplasje me dështimin. Një ministër që nuk e sfidon realitetin, por e administron me fraza. Një ministër që nuk e ndal krizën, por e relativizon.

Ironia bëhet cinike kur kujtojmë se vetë Edi Rama ka artikuluar dikur shprehjen “kokat hengshin”. Në këtë kontekst, ajo tingëllon më shumë si doktrinë e heshtur sesa si batutë. Sepse kur një i akuzuar për katër vrasje del nga burgu dhe askush nuk bie nga karrigia, mesazhi është i qartë: qeveria nuk ka interes t’i mbajë kriminelët pas hekurave, por i toleron të lirë, që të rregullojnë hesapet mes tyre.

Kjo e kthen Ministrinë e Drejtësisë në një fasadë administrative. Një institucion me logo, me konferenca dhe me tituj, por pa dhëmbë. Sepse nëse vërtet do të kishte peshë, dorëheqja do të ishte reagim i menjëhershëm. Jo si akt heroik, por si minimum dinjiteti. Kur një i akuzuar për katër vrasje arratiset, ministri i Drejtësisë ose merr përgjegjësi, ose pranon publikisht se posti i tij është thjesht dekor.

Lamallari zgjodhi një rrugë tjetër: të mos ekzistojë në momentin më kritik. Dhe kjo nuk është thjesht paaftësi personale, por përputhje perfekte me një qeverisje që e do drejtësinë si slogan, jo si sistem. Një qeverisje ku ministrat janë të kënaqur me titullin dhe kolltukun, ndërsa vendimet e vërteta merren diku tjetër, ose nuk merren fare.

Në fund, problemi nuk është vetëm se një i rrezikshëm është i lirë. Problemi është se lirimi i rrezikut nuk prodhon asnjë përgjegjësi. Dhe kur “kokat hengshin” kthehet në filozofi qeverisëse, Ministria e Drejtësisë mbetet ajo që është sot: një emër i madh për një rol të vogël.

Komento lajmin