Trump kërcënon Europën me tarifa të reja derisa SHBA të lejohet të blejë Groenlandën

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka ndezur sërish debatet ndërkombëtare me një deklaratë kontroverse: vendosjen e tarifave të reja ndaj vendeve europiane, derisa Uashingtoni të marrë dritën jeshile për blerjen e Groenlandës.

Në një postim në rrjetin e tij Truth Social, Trump njoftoi vendosjen e një tarife fillestare prej 10%, e cila do të hyjë në fuqi më 1 shkurt për një sërë shtetesh: Danimarkën, Norvegjinë, Suedinë, Francën, Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Holandën dhe Finlandën.

Sipas tij, këto tarifa do të rriten në 25% më 1 qershor dhe do të vazhdojnë derisa “të arrihet një marrëveshje për Groenlandën”.

Deklarata vjen në një moment publikisht të ndjeshëm në marrëdhëniet SHBA–BE, ku tensionet tregtare dhe të sigurisë janë rritur ndjeshëm. Groenlanda, edhe pse territor autonom i Danimarkës, ka tërhequr prej vitesh interes të madh nga Uashingtoni për shkak të pozicionit strategjik në Arktik dhe burimeve të saj të bollshme natyrore.

Qeveria daneze dhe autoritetet e Groenlandës e kanë refuzuar qartë idenë e blerjes, duke deklaruar se “Groenlanda nuk është në shitje” dhe se statusi i territorit mbetet çështje e brendshme dhe autonome.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, strategjia e re e tarifave është pjesë e një vizioni më të gjerë ekonomik të Trump, i cili synon të forcojë pozicionin amerikan në negociatat ndërkombëtare dhe të garantojë marrëveshje më të favorshme për SHBA-të.

Ndërkohë, Groenlanda vazhdon të mbetet në qendër të vëmendjes gjeopolitike për shkak të mineraleve të rralla, burimeve energjetike, dhe rolit të saj në rivalitetet e reja për kontrollin e Arktikut. Debati mbi blerjen e saj ka nxitur diskutime të gjera si në SHBA, ashtu edhe në Europë.

Komento lajmin