Si arriti Eva Dumani të dalë nga kampi i ferrit dhe të kthehet në Tiranë

Historia e Eva Dumanit nuk është thjesht një kthim në atdhe. Është historia e një vajze që u mor me forcë nga Shqipëria fëmijë dhe u rrit mes luftës, frikës dhe propagandës.

Në vitin 2014, babai i saj, i përfshirë në luftën xhihadiste në Siri, rrëmbeu dy fëmijët e mitur: Evën 9 vjeç dhe Endrin 7. Pak kohë më pas ai humbi jetën në luftë. Fëmijët mbetën në një realitet që nuk e kishin zgjedhur vetë.

Endri u kthye në Shqipëri në vitin 2020, në një operacion shtetëror. Eva mbeti në kampin Al-Hol – një vend që për vite me radhë është përshkruar si “kampi i ferrit”. Aty u rrit, mes çadrave, kontrollit të brendshëm ekstrem dhe frikës së vazhdueshme.

Burime bëjnë me dije se largimi i saj nuk ishte pjesë e një operacioni klasik riatdhesimi. 21-vjeçarja arriti të largohej nga territori sirian përmes kalimeve ilegale drejt kufirit turk. Pa dokumente shqiptare, pa pasaportë dhe me rrezikun që të ndalohej nga autoritetet turke për shkak të profilit të saj, çdo hap ishte i pasigurt.

Momenti kyç ishte telefonata me dajën e saj, Xhetan Ndregjonin, i cili prej vitesh ka ndjekur çdo mundësi për kthimin e fëmijëve. Pas daljes së saj në Turqi, ndërhyrja e autoriteteve shqiptare përmes kanaleve diplomatike bëri të mundur rikthimin e sigurt në Tiranë.

Eva u kthye në Shqipëri e mbuluar me shami – një detaj që flet më shumë për vitet e indoktrinimit sesa për zgjedhje personale. Sipas burimeve, brenda kampit fëmijëve u thuhej vazhdimisht se në vendet e tyre nuk do të lejoheshin të praktikonin fenë islame, duke krijuar frikë dhe mosbesim ndaj kthimit.

Ndërkohë, historia e saj është vetëm një pjesë e panoramës.

Sipas burimeve, 22 shqiptarë të tjerë – gra dhe fëmijë – ndodhen ende në Siri. Dyshohet se disa prej tyre nuk janë më në kampet e mëdha si Al-Hol, por janë shpërndarë në zona të ndryshme, çka e bën shumë të vështirë lokalizimin e tyre.

Nga viti 2019 deri në 2022, Shqipëria ka zhvilluar 4 operacione riatdhesimi, duke kthyer 38 gra dhe fëmijë. Por këta 22 persona, në operacionet e mëparshme, kanë refuzuar kategorikisht kthimin dhe janë fshehur.

Situata në Siri ka ndryshuar ndjeshëm pas rënies së regjimit dhe krijimit të një qeverie tranzitore që po përpiqet të marrë nën kontroll kampet dhe të neutralizojë qelizat e mbetura ekstremiste. Por realiteti në terren mbetet i paqëndrueshëm.

Rasti i Eva Dumanit tregon se rruga e kthimit ekziston – por nuk është e thjeshtë, as lineare dhe as e garantuar për të gjithë.

Për 22 shqiptarë të tjerë, ajo rrugë mbetet ende e paqartë.

Komento lajmin