Këshilli i Ministrave kërkon shpalljen si anti kushtetues të vendimit të gjykatës së posaçme të datës 19 nëntor 2025 për masën e sigurisë pezullim nga detyra ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku.
Në padinë e plotë të firmosur nga kryeministri Edi Rama, theksohet se kryeministri vlerëson se vendimi në fjale është anti kushtetues pasi: cënon garancinë e imunitetit të Këshillit të Ministrave, sipas pikës 3 të nenit 103 të kushtetutës ku thuhet se “gëzon imunitetin e deputetit”, cënon parimin e ndarjes së pushteteve, parashikuar në nenin 7 të kushtetutës duke vendosur pezullimin nga detyra të ministrit si organ kushtetues i një pushteti tjetër dhe pengon veprimtarinë e Këshillit të Ministrave dhe ndërhyn në kompetencat e organeve kushtetuese që kryejnë propozimin, emërimin dhe miratimin e ministrit në detyrë.
Për këto arsye, kryeministri i kërkon gjykatës kushtetuese ta shfuqizojë masën e pezullimit dhe të zgjidhe mosmarrëveshjen e kompetencës të krijuar, për shkak të faktit se me vendimin e saj, GJKKO duke vendosur masën në fjalë, ka krijuar de fakto një situatë juridike ku ndërhyn në veprimtarinë funksionale të Këshillit të Ministrave dhe në kompetencën kushtetuese të kryeministrit për të propozuar emërimin dhe shkarkimin e ministrit.