Me kërkesë të kryeministrit Edi Rama, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku ka shkarkuar Artan Shkrelin, vjehrrin e deputetit të opozitës Belind Këlliçi, nga posti i drejtorit të Institutit të Ndërtimit. Sipas burimeve, Shkreli ishte zëvendësuar që vitin e kaluar përkohësisht nga Blerina Gjini, ndërsa ditët e fundit Rama dhe Balluku kanë formalizuar lëvizjen duke emëruar në krye të institucionit arkitekten Persida Shkrepa e cila u prezantua sot publikisht nga ministrja.
Në reagimin e saj, Balluku vlerësoi Shkrepën si një profesioniste me karrierë të spikatur në arkitekturë duke theksuar se përvoja dhe përkushtimi i saj do të jenë një garanci e fortë për drejtimin e Institutit të Ndërtimit dhe për forcimin e rolit të tij në industrinë e ndërtimit në vend.
Largimi i Artan Shkrelit nuk ka ardhur papritur për ata që ndjekin zhvillimet politike. Sipas Prapaskena lajmi për shkarkimin e tij qarkullonte që në shtator të vitit 2025 kur dhëndri i tij, Belind Këlliçi, nisi sulmet ndaj Belinda Ballukut. Burime brenda institucionit pohojnë se vendimi është marrë në nivelet më të larta të qeverisë me kërkesë direkte të Ramës, por duket se Këlliçi e ka interpretuar si një manovër politike të Ballukut, gjë që solli edhe reagimin e tij të ashpër publik.
Me emërimin e Persida Shkrepës situata në Institutin e Ndërtimit duket të jetë stabilizuar ndërsa lëvizja shihet si pjesë e rrotacionit të brendshëm të qeverisë, por gjithashtu si një goditje politike që nuk ka mbetur pa reagim nga kampi opozitar.