Ka nisur para Kryeministrisë protesta e paralajmëruar nga Adriatik Lapaj dhe aktivistët e lëvizjes “Shqipëria Bëhet”.
Qindra qytetarë dhe mbështetës u mblodhën mbrëmjen e sotme në bulevard, ku u panë duke mbajtur flamuj dhe pankarta, si dhe duke artikuluar thirrje kundër qeverisë. Me brohoritjet “Edi Rama frikacak” dhe “Dorëheqje”, protestuesit marshuan drejt godinës së Kryeministrisë.
Gjatë protestës, pjesëmarrësit mbanin edhe një pankartë të madhe me mesazhin e senatorit amerikan Marco Rubio, që lidhej me çështjen e karteleve të drogës.
Në fjalën e tij para protestuesve, Lapaj akuzoi qeverinë se, sipas tij, ka vendosur institucionet në funksion të krimit të organizuar dhe ka krijuar një klimë frike në vend. Ai deklaroi se korrupsioni, varfëria dhe keqqeverisja janë bërë pjesë e sistemit dhe se kjo situatë, sipas tij, duhet përballur me reagim qytetar dhe presion të vazhdueshëm.
Protesta është thirrur për të denoncuar korrupsionin, kapjen e institucioneve dhe abuzimet me pasuritë publike. Organizatorët kanë theksuar se tubimi është paqësor, por i vendosur, përballë godinës që ata e konsiderojnë si qendrën e pushtetit ekzekutiv.
Ndërkohë, Garda e Republikës ka marrë masa sigurie, duke bllokuar që mbrëmjen e djeshme hyrjet e Kryeministrisë me barriera metalike, për të shmangur çdo skenar të mundshëm tensioni.
Lapaj ka deklaruar se protestat do të vijojnë deri në largimin e kryeministrit Edi Rama. Ai ka pasur edhe përplasje të mëparshme me forcat e Policisë, gjatë të cilave është larguar nga ambientet e protestës dhe i janë hequr mjetet mbështetëse që përdorte.
Në një nga episodet e mëparshme, Lapaj ka mbetur i dëmtuar dhe është trajtuar në Spitali i Traumës.