Një 52-vjeçar ka rënë në prangat e policisë në kuadër të një operacioni antidrogë të koduar “Cargo”. Shtetasi Afrim Meça u arrestua në fshatin Luz të Fushë-Krujës, teksa po transportonte me automjet rreth 60 kilogramë lëndë narkotike të llojit kanabis, të paketuar në 6 thasë.
Sipas hetimeve paraprake, droga ishte destinuar për t’u shpërndarë në doza të vogla në zonën e Krujës dhe në Tiranë. Vlera e sasisë së sekuestruar llogaritet rreth 60 mijë euro.
Gjatë kontrollit, policia sekuestroi lëndën narkotike në cilësinë e provës materiale, si edhe automjetin që përdorej për transport dhe një telefon celular.
52-vjeçari akuzohet për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa grupi hetimor po vijon punën për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Operacioni u finalizua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, në kuadër të goditjes së rasteve të shpërndarjes së drogës në territor.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.